Çfarë është Termografia?
Termografia, është një teknologji, e cila krijon imazhe duke përdorur energjinë e transmetuar nga diapazoni infrared i spektrit elektromagnetik, në mënyë të ngjashme me imazhet që krijon një aparat dixhital që përdor energjinë e spektrit të dukshëm.Të gjitha objektet mbi zero absolute (-273°C) lëshojnë rreze infrared, sasia e të cilave varet nga temperatura dhe faktorë të tjerë. Një termokamerë zbulon dhe mat energjinë e rrezeve infra të kuqe të emetuara nga një objekt ose zonë përrreth. Si rrjedhojë, ajo është në gjendje të llogarisë ndryshimet e dukshme të temperaturës.
Meqënëse termokamera arrin të kapi ndryshimet e temperaturës së sipërfaqeve, ajo lejon që në shumë raste të identifikojë probleme që janë jo të dukshme për syrin e lirë.
Identifikon:
- Rrjedhjet e ajrit të padëshiruara nga brenda-jashtë ndërtesës
- Izolimin jo-të përshtatshëm ose inekzistent
- Infiltrimin e lagështisë në çati, dysheme dhe mure
- Probleme të sistemit NVAK
- Probleme të sistemit të ngrohjes nga dyshemeja
- Gabimet elektrike
- Rrjedhjet në tuba
- Problemet e kondensimit
- Defektet e ndërtimit dhe urat termike
- Problemet e instalimit dhe përformancës së dyerve dhe dritareve
- dhe shumë të tjera.
Rast studimor: Pallatet Parafabrikate
Nga Dr. Anisa Lama
Elementët mbështjellës të ndërtesës u morën në analizë në mënyrë që të verifikohej sjellja e tyre në lidhje me shpërndarjen e nxehtësisë, praninë e urave termike, problemet e izolimit termik, gjëndjen e paneleve të betonit, etj, me qëllim identifikimin e ndërhyrjeve të nevojshme për të zvogëluar kostot e ngrohje/ftohjes dhe për të përmirësuar komoditetin e jetesës.
Urat me pamje nga veriu. Matje e datës 12.01.2018 ora 14:00
Ndryshimi i temperaturës në sipërfaqen e murit të jashtëm të shkaktuara nga ndërprerjet termike është shumë i dukshëm. Urat termike në pjesën nën parvazin e dritares (në të kuqe dhe të bardhë) janë një problem i zakonshëm, ndërsa shpërndarjet e tjera në pjesën ku izolimi është i pranishëm janë anormale. Izolimi termik i pallateve parafabrikant është kryer përmes një shtrese betoni të lehtësuar të quajtur “peno-beton”, e pozicionuar brenda pllakave të betonit dhe soletës së ndërtesës. Hapësirat e ajrit dhe ndryshimi i peshës specifike të betonit krijojnë ura termike brenda strukturës së pllakave, duke e bërë atë një përbërës me përçueshmëri termike jo uniforme, rrjedhimisht këto ura termike ulin ndjeshëm performancën e tij.
Urat termike në strukturën e brendshme të paneleve dhe në nyjet midis paneleve. Matje e datës 12.01.2018 ora 14:00
Imazhet tregojnë hapësirat e mbushura me penobeton brenda secilës pllakë. Këto hapësira kanë një përçueshmëri termike më të lartë dhe lejojnë që ndërtesa të shpërndajë nxehtësinë gjatë sezonit të ftohtë, ndërsa e kundërta ndodh gjatë sezonit të nxehtë.
Humbja e nxehtësisë në fasadë; Humbja e nxehtësisë në muret e shkallëve dhe çatisë
Imazhi termografik në figurat e mësipërme lejon të shihen humbjet e tjera të nxehtësisë edhe në profilet tërthore dhe gjatësore të pllakave të betonit. Amortizimi dhe mungesa e izolimit krijojnë ura termike, lagështi si dhe lejon depërtimin dhe rrjedhimisht mykun përgjatë perimetrit të tyre. Në vitet e para të ndërtimit, nyjet u mbushën me material izolues, por nuk u aplikua më pas viteve të trazicionit, çfarë çoi në degradimin e cilësisë së ndërtesave.
Ura termike në skeletin e betonit të armuar; Ura termike në nyjet e pllakave të betonit
Figurat, të cilat tregojnë (1) kornizat e betonit të armuar me një muraturë me tulla, si dhe (2) nyjet e bashkimit të pllakave të parafabrikuara, lejojnë identifikimin e pranisë së humbjeve të nxehtësisë nga dyshemetë me beton të armuar (me të kuqe). Është e qartë se dhe muret me tulla kanë humbje më të ulët të nxehtësisë sesa pllakat e betonit.
Humbjet termike nga dera e jashtme
Dritaret, dyert dhe kornizat janë një tjetër burim i humbjes së nxehtësisë, për shkak të vetive të tyre të dobëta izoluese dhe montimit jo-hermetik, i cili çon në infiltrime të ajrit, që në shumë raste janë dritare me strukturë tek xham dhe korniza alumini. Kornizat, të cilat janë në kontakt me hapësirën e brendshme dhe të jashtme, janë të tjera ura termike që hasen më shpesh dhe janë shkaktari kryesor i kondensimit dhe mykut në muraturë.
Humbjet termike në fasadë me dhe pa izolim
Nga termografitë konstatohet se temperatura në murin e izoluar është rreth 3 – 4 ° C më e ulët se e pllakave të parafabrikuara të betonit. Kjo ndodh për shkak të përçueshmërisë termike më të ulët të izolimit, i cili zvogëlon humbjet e nxehtësisë nga hapësirat e brendshme në ambientin e jashtëm. Gjithashtu vihen re humbjet e nxehtësisë edhe në dritare, për shkak të vetive të tyre të dobëta izoluese (krahasuar me pjesën tjetër të muraturës së izoluar të ndërtesës) dhe montimit jo-hermetik.
Shembuj nga auditimet e kryera gjatë proçesit të Certifikimit të Performancës së Energjisë në Ndërtesa:
Duhet të merret parasysh se matjet e kryera me termokamerë në fasada të ekspozuara drejtpërdrejtë nga rrezatimi diellor mund të japin informacion të pasaktë mbi performancën e materialeve të mbështjellës së objektit në auditim. Për këtë arsye, analizat janë kryer në ditë me kohë të vrenjtur dhe në orët e para të mëngjesit për të marrë rezultate optimale.
Ambient Shërbimi, Tiranë
Pamjet tregojnë ballkonin dhe muret e jashtme të një ambienti shërbimi.
Ndryshime të ndjeshme të temperaturës së sipërfaqeve janë konstatuar vetëm në ballkonet e objekteve ndërmjet pjesës së dalë dhe soletës që ndan me katin e poshtëm, çfarë tregon nevojën për izolim të ballkonit për të reduktuar humbjet e nxehtësisë në këto zona.
Ambienti i shërbimit është i veshur me fasadë të ventiluar, por mungesa e termoizolimit shkakton këto diferenca të temperaturës, e cila shoqërohet me rritjen e humbjes së nxehtësisë që transmetohet nëpërmjet elementëve konstruktiv.